Fqinjësia

Kontakti mes fqinjëve nuk është njësoj intensiv në çdo shtëpi apo lagje. Në çdo rast, është e këshillueshme të kërkohen bisedime me fqinjin, veçanërisht në rast konfliktesh.

Të kontaktosh

Në disa shtëpi ose lagje, fqinjët mbajnë kontakte me njëri-tjetrin (me festa etj.). Në vende të tjera, kjo është më pak e zakonshme. Kush vjen për herë të parë mund të prezantohet personalisht, kjo është shumë e zakonshme në Kantonin Aargau. Nëse fqinjët nuk dëshirojnë të kenë kontakt, kjo nuk është domosdoshmërisht faj i banorëve të rinjë. Atëherë duhet të përqendroheni thjesht në jetesën miqësore me njëri-tjetrin. Ka mënyra të tjera për të marrë kontakt me popullsinë lokale, siç është për shembull anëtarësimi në shoqata.

Rregullorja shtëpiake

Pothuajse çdo shtëpi në të cilën jetojnë më shumë qiramarrës apo pronarë, ka rregullore shtëpie (Hausordnung). Kjo shpesh jepet së bashku me marrëveshjen e qirasë. Ajo përcakton rregullat për të jetuar së bashku dhe për përdorimin e hapësirave të përbashkëta, si dhoma për larjen e rrobave. Në Zvicër është shumë e rëndësishme që të respektohen rregullat e shtëpisë. Kjo vlen mbi të gjitha për periudhat e pushimit, disa prej të cilave madje parashikohen me ligj.

Konfliktet

Nëse persona tjerë në shtëpi nuk iu përmbahen rregullave të shtëpisë dhe ju ndiheni të penguar, është e këshillueshme që fillimisht të kërkoni një bisedë me personin që nuk iu përmbahet rregullave. Nëse kjo nuk ju ndihmon, mund të kontaktoni qiradhënësin ose administratën e pronës. Në raste të rënda mund të njoftoni edhe policinë (telefon 117). Policia duhet të thirret gjithmonë nëse jeni dëshmitar i dhunës në një banesë tjetër dhe jeni të shqetësuar për mirëqenien e fqinjëve tuaj.