Çfarë është dhuna në familje?

Dhuna në familje do të thotë dhunë e ushtruar në familje ose nga partneri. Ajo lëndon fizikisht dhe shpirtërisht. Në Zvicër dhuna në familje është e ndaluar.

Çfarë është dhuna në familje?

Dhuna në familje përfshin forma fizike, psikike, seksuale dhe ekonomike. Ajo ndodh midis partnerëve ose në familje: midis bashkëshortëve ose personave, që janë ose ishin një çift. Nuk luan rol, nëse jetojnë bashkë apo ndarazi. Edhe dhuna midis prindërve dhe fëmijëve ose anëtarëve të tjerë të familjes si motrave dhe vëllezërve, gjysheve dhe gjyshërve, xhaxhallarëve dhe hallave, dajallarëve dhe tezeve quhet dhunë në familje.


Ka shumë lloje të dhunës në familje. Shpesh lloje të ndryshme të dhunës ushtrohen në të njëjtën kohë.


Disa shembuj mund të jenë: goditja – kërcënimi – fyerja – maltretimi – shtrëngimi në fyt – mbyllja në banesë – shkulja e flokëve – kontrollimi – ndalimi i telefonatave – shtrëngim për të kryer marrëdhënie seksuale – detyrim për të lidhur martesë – marrja e parave – shpërfillja.


Dhuna në familje ndodh shpesh në një cikël. Ajo zhvillohet si një spirale, e cila rrotullohet gjithnjë më shpejtë. Në fillim të një marrëdhënieje krijohen tensione. Në vijim ka një shpërthim dhune. Pastaj ka qetësi, pajtim dhe keqardhje. Në vijim krijohen tensione të reja dhe përsëri ndodh një shpërthim dhune. Të çlirohesh nga një cikël dhune është e vështirë dhe gati e pamundur pa përkrahje. Është e rëndësishme të kërkosh ndihmë.


Një formë e posaçme e dhunës në familje është e ashtuquajtura dhuna e ndarjes. Ndarjet janë ngjarje prerëse në jetë. Kësisoj rreziku për të përjetuar dhunë në familje rritet dukshëm para, gjatë dhe pas një ndarjeje. Edhe në marrëdhënie, që nuk janë të karakterizuar nga konflikte të rënda në marrëdhënie dhe nga dhuna në familje, mund të ketë dhunë gjatë situatave ndarjeje. Konflikte në lidhje me ndarjen mund të marrin përmasa të rrezikshme dhe mund të çojnë në dhunë të rënde ose vdekjeprurëse. Për të prekurit ka rëndësi të kërkojnë përkrahje në situata ndarjeje.

Kush është i prekur?

Shumë njerëz në Zvicër vuajnë nga dhuna në familje ose nga partneri.


Dhuna në familje ndodh në të gjitha shtresat e shoqërisë dhe në të gjitha grupmoshat dhe mund të cenojë gjithsecilin.


Përjetimi i dhunës mund të vë shëndetin në rrezik dhe mund të çojë në sëmundje psikike dhe psikosomatike.


Dhuna në familje është një ngarkesë për fëmijët dhe mund të ketë pasoja të rënda për zhvillimin e tyre. Ata nuk vuajnë vetëm, kur përjetojnë drejtpërsëdrejti dhunën, por gjithashtu, kur bëhen dëshmitarë të dhunës midis prindërve. Prandaj fëmijët e cenuar nga dhuna kanë nevojë për mbështetje.

Dhuna nuk është zgjidhja – asnjëherë.