Sistemi politik

Fuqia politike në Zvicër është e ndarë në tri rrafshe: federatë, kantone (shtete anëtare) dhe komuna. Zviceranet dhe zvicranët përmes votimeve mund të vendosin për ndryshime politike.

Federlizmi

Kantonet dhe komunat në Zvicër kanë autonomi të madhe, flitet për federalizëm. 26 kantonet dhe mbi 2000 komunat kanë struktura shtetërore plotësisht të zhvilluara. Kantoni Aargau e ka kushtetutën dhe qeverinë, parlamentin dhe gjykatat e veta. Kantonet ose komunat janë përgjegjëse për një numër të madh detyrash shtetërore. Për këtë arësye, për shembull, sistemi shkollor rregullohet ndryshe nga kantoni në kanton. Ndërkaq ligjet federale zbatohen në gjithë Zvicrën, kantonet i kanë ligjet e tyre që zbatohen vetëm brenda kantonit. Për të përballuar detyrat, kantonet dhe komunat, si edhe federata, mbledhin tatime.

Ndarja e pushteteve

Për ta parandaluar koncentrimin e pushtetit, fuqia shtetëror në Zvicër dhe në kantone është ndarë në tri pushtete të pavarura: legjislativi (pushteti ligjdhënës), ekzekutivi (pushteti ligjzbatues) dhe gjyqësori (pushteti gjyqësor). Në kantonin Aargau, këto detyra i marrin autoritetet vijuese:

  • Legjislativi: Këshilli i Madh (Grosser Rat) (140 anëtarë, të zgjedhur nga populli çdo katër vjet)
  • Ekzekutivi: Qeveria Kantonale (Regierungsrat) (5 anëtarë, të zgjedhur nga poulli çdo katër vjet)
  • Gjyqësor: Gjykata të ndryshme në nivele rrethesh dhe kantoni

Edhe komunat e kanë legjislativin e tyre (Kuvendin Komunal ose Parlamentin) (Gemeindeversammlung, Parlament) dhe ekzekutivin (Këshillin e Qytetit apo Këshillin Bashkiak) (Stadtrat, Gemeinderat).
Në nivelin federal, legjislativi ka dy dhoma: Këshillin Kombëtar dhe Këshillin Shtetëror (National- und Ständerat). Qeveria kombëtare (7 anëtarë) quhet Bundesrat. Ekzistojnë gjithashtu gjykata të ndryshme në nivel kombëtar. Për shembull, vendimet e gjykatave kantonale mund të apelohen në Gjykatën Supreme Federative si autoritet suprem.

Të drejtat demokratike

Zviceranet dhe zvicëranët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjedhen. Ata zgjedhin organet politike në nivel komunal, kantonal dhe federal dhe gjithashtu mund të kandidojnë vetë në zgjedhje. Përveç kësaj, qytetarët mund të mbajnë referendume për çështje politike në nivel komunal, kantonal dhe federal (demokracia e drejtpërdrejtë). Me nisma popullore, qytetarët mund të vënë në votim edhe shqetësimet e tyre. Të huajt që jetojnë në kantonin Aargau nuk kanë të drejtë të zgjedhin apo të zgjedhen. Ata mund t'i adresojnë shqetësimet e tyre politike me peticione drejtuar autoriteteve.

Të drejtat themelore

Parimet më të larta të të drejtave në Zvicër janë të përcaktuara në Kushtetutën Federale (Bundesverfassung). Në një pjesë të rëndësishme të Kushtetutës Federale janë të drejtat themelore, të cilat bazohen në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (EMRK). Ato mbrojnë ekzistencën njerëzore (p.sh. të drejtën për jetë, të drejtën për ndihmë në raste urgjente) dhe mbrojnë individët nga dhuna shtetërore ose grupet kundër shumicës. Ato garantojnë se askush nuk do të diskriminohet për shkak të origjinës, racës, religjionit, gjinisë ose orientimit seksual. Viktimat e diskriminimit racor marrin mbështetje dhe këshilla falas në kantonin Aargau. Liria e fesë, e mendimit dhe e shtypit mbisundon në Zvicër.