Partneriteti

Në Zvicër janë të akceptuara forma të ndryshme të bashkëjetesës. Për tu martuar, duhet qenë së paku 18 vjeç. Bashkëshortët ligjërisht janë të barabartë.

Bashkëjetesa

Format e bashkëjetesës në Zvicër kanë ndryshuar shumë në dhjetëvjetshat e kaluar. Shpesh çiftet jetojnë së bashku të pamartuar (Konkubinat) dhe poashtu kanë fëmijë të përbashkët. Ndarje fikse të roleve në mes partnerëve (burrë/grua) nuk ka. Edhe bashkëjetesa me të njëjtën gjini është e akceptuar dhe e njohur ligjërisht

Martesa / Partneriteti i regjistruar

Për tu martuar në Zvicër, duhet qenë 18 vjeç. Kush dëshiron të martohet, duhet të lajmërohet në Zyrën e Gjendjes Civile, e cila është përgjegjëse për komunën e vendbanimit (Regionales Zivilstandsamt). Zyra e Gjendjes Civile pastaj e udhëheq një procedurë parapërgatitore për martesë. Me këtë provohet aftësia e partnerëve për martesë. Pas përmbylljes së parapërgatitjeve, dasma duhet të bëhet brenda tre muajve. Zyra e Gjendjes Civile informon saktësisht për procedurën dhe dokumentet e nevojshme. Nëse njëri nga çifti jeton ende jashtë vendit, mund të bëhet një kërkesë për ardhje për parapërgatitjen e martesës. Çiftet e të njëjtës gjini mund ta regjistrojnë partneritetin, i cili sjell të drejta dhe detyrime të ngjashme me një bashkëshortësi.

Të drejtat dhe detyrimet

Sipas ligjit, bashkëshortët kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime dhe janë të barabartë. Të dy partnerët bashkëshortorë duhet të martohen me dëshirë. Nëse zyrtarët e kuptojnë, se dikush është martuar me detyrim (Zwangsheirat), martesa mund të shpallet e pavlefshme dhe ata që e kanë ushtruar këtë martesë të dënohen. Kush ndjehet se është martuar detyrimisht, duhet të kërkojë mbështetje. Në kantonin Aargau për këtë është një numër special telefoni (062 835 47 90).

Planifikimi i familjes

Për çështje të planifikimit të familjes, shtatzënëninë dhe seksualitetin, në Kantonin Aargau, Aarau dhe Brugg ka këshillimore speciale. Këto këshillimore ofrojnë informata falas dhe të besueshme për temat si mbrojtja, problemet seksuale, shtatzënitë e pa dëshiruara apo sëmundjet e organeve gjenitale. Ato këshillojnë edhe prindërit e ardhshëm dhe personat me fëmijë.

Shkurorëzimi

Shkurorëzimi mund të kërkohet prej të dy bashkëshortëve apo edhe vetëm prej njërit bashkëshort. Përgjegjës është gjyqi familjar (Familiengericht) i rrethit. Edhe bashkëshortësitë, të cilat janë lidhur jashtë vendit, mund të zgjidhen sipas të drejtës zvicerane. Për ta bërë këtë, duhet pasur vendbanimin kryesor në Zvicër dhe së pari të keni jetuar këtu një vit. Shkurorëzimi mund të ndikojë në statusin tuaj të qëndrimit ose në një proces të marrjes së nënshtetësisë, i cili është në trajtim. Nëse të huajt mund të qëndrojnë në Zvicër pas shkurorëzimit, varet nga faktorë të ndryshëm. Për viktimat e dhunës familjare, zbatohen rregulla të veçanta. Për informata rreth shkurorëzimit, mund t'i drejtoheni një këshillimoreje për bashkëshortësinë dhe familjen ose një këshillimoreje ligjore.