Konto / Qarkullimi i pagesave

Kush fiton para dhe duhet të paguajë faturat, ka nevojë për një llogari bankare ose postare. Për blerje, janë shumë të përhapura debitkartat ose kreditkartat

Kontoja

Në Zvicër, pothuajse çdo banor ka një llogari bankare. Pagat e punonjësve zakonisht transferohen në llogarinë bankare. Shumë banka dhe posta ofrojnë llogari për personat privatë. Hapja e një llogarie është zakonisht falas. Megjithatë, pastaj ndodhin shumë pagesa të ndryshme. Meqenëse tarifat, interesat dhe shërbimet ndryshojnë nga ofruesi në ofrues, është mirë të bëni krahasime. Për hapjen e një llogarie, në çdo rast, kërkohet një pasaport ose një dokument tjetër identiteti.

Debitkartat / Kreditkartat

Kush ka një llogari, zakonisht merr një kartë llogarie për të tërhequr para. Kjo kartë është e vlefshme vetëm në bankën që e lëshon. Megjithatë, bankat ose posta ofrojnë karta debiti (siç është Maestro), me të cilat mund të tërhiqën para në të gjithë bankomatët dhe mund të paguhet në shumicën e dyqaneve. Këto karta mund të përdoren edhe jashtë vendit. Varësisht nga karta, ka kosto të ndryshme. Kartat e kreditit mund të kërkohen nga shumë ofrues të shërbimeve të tilla. Kushtet dhe kostot janë shumë të ndryshme, prandaj është e vlefshme të krahasohen. Tani pagesa me kartë debiti ose krediti është shumë e përhapur.

Të paguash faturat

Faturat zakonisht dërgohen me postë me një fletëpagesë. Ka tre mundësi për t'i paguar ato:

  • E-Banking: Pagesa përmes internetit është shumë e përhapur dhe e sigurtë.
  • Në sportel: Me fletëpagesë mund të bëni pagesa në postë me para të gatshme. Ata që kanë llogari postare, përmes urdhërpagesës mund të bëjnë që pagesa të kryhet drejtpërdrejt nga llogaria e tyre. Klientët e bankës mund të bëjnë pagesa edhe në sportel të bankës.
  • Me postë: Urdhërpagesat mund të dërgohen edhe me letra në bankë apo në postë.
  • Informacione më të hollësishme mund të merren nga banka ose posta.

Mundësitë e pagesës për fatura që përsëritën:

  • Procedura e pagesave automatike (LSV) është e lehtë për t'u bërë, sepse me të pagesat bëhën automatikisht nga llogaria. Informata për këtë mund të merren nga dërguesit e faturave, nga banka apo posta.
  • Nëse shuma e faturës gjithmonë është e njëjtë (p.sh. qiraja), mund të jepni një urdhër pagese automatike me afat të gjatë (Dauerauftrag) në bankë ose në postë.

Faturat gjithmonë janë me afat kohor për pagesë. Nëse ky afat nuk respektohet, mund të ketë pasoja: mund të ndodhë proces ekzekutimi (Betreibung).