Përkujdesja mjekësore

Kush sëmuret ose aksidentohet, duhet në të shumtën e rasteve fillimisht të shkojë te një mjek apo mjeke shtëpie. Për sëmundje ose aksidente të lehta mund të marret ndihmë edhe në barnatore. Vetëm në raste vërtetë të rënda emergjence duhet të shkohet drejtpërdrejtë në spital.

Barnatoret

Barnatoret shesin barna me recetë (të përshkruara nga mjeku) dhe të gjitha barnat tjera. Për një sëmundje të lehtë, rekomandohet së pari të shkohet në një barnatore. Farmacistët janë të përgaditur mirë dhe ofrojnë këshilla për klientët e tyre. Një barnatore emergjente është gjithmonë e hapur, kështu që mund të merrni barna edhe në raste emergjente. Për tu informuar se cila barnatore emergjente është e hapur, mund të telefononi në numrin 0800 300 001 (pa pagesë).

Mjeku familjar / Mjeku i fëmijve

Në Zvicër, shumë njerëz e kanë një mjek familjar (Hausarzt). Ai e njeh historinë personale të sëmundjes dhe është pika e parë e kontaktit në rast të problemeve shëndetësore. Për fëmijë ka mjeke dhe mjekë të fëmijëve. Nëse është e nevojshme, mjeku do ta udhëzojë pacientin te një mjek specialist ose në spital. Vetëm në raste të rënda emergjente duhet shkuar direkt në spital. Për të gjitha rastet tjera urgjente, në kantonin Aargau ekziston një numër qendror i urgjencës jashtë orarit të punës së ordinancave mjekësore. Kjo mund të arrihet 24 orë në ditë në numrin e telefonit: 0800 401 501 (3,23 CHF/min).

Mjeku i dhëmbëve

Për trajtimin e dhëmbëve zakonisht duhet paguar vetë. Megjithatë, ekziston mundësia për ta bërë sigurim shtesë që mbulon trajtimin e dhëmbëve. Fëmijët që shkojnë në shkollë kanë të drejtë për një kontroll dhëmbësh në vit, papagesë. Informatat për këtë i jep shkolla.

Spitali / Stacionet për raste emergjente

Nëse dikush ka nevojë për të shkuar në spital, fillimisht do të regjistrohet nga një mjeke apo mjek. Përjashtim bëjnë rastet e rënda, në të cilat duhet shkuar direkt në stacionin e emergjencës së spitalit. Nëse gjendja është në rrezik për jetën, ose pacienti duhet të bartet, duhet telefonuar në numrin e emergjencës 144. Për rastet më pak të rënda, kompetent është mjekja ose mjeku familjar.

Përkujdesja në shtëpi

Persona të sëmurë ose me nevoja për përkujdesje në shtëpi, mund të përfitojnë nga shërbimet e infermierisë jashtë spitalore (Spitex). Profesionistët shkojnë në shtëpi te pacientet dhe pacientët për t'u kujdesur për ta ose për t'u ndihmuar në punët e shtëpisë. Oferta është për personat që kanë nevojë për ndihmë për shkak të sëmundjeve, aksidenteve, problemeve të moshës, komplikimeve gjatë shtatzënisë ose pas lindjes. Në disa raste, shpenzimet mund të jenë të mbuluara nga sigurimi bazë (Grundversicherung). Përveç Spitex Verband Aargau, ka edhe shumë ofrues të shërbimeve private Spitex.