Sigurimi shëndetësor me përkujdesje (sigurimi bazë)
Të gjithë banorët e Zvicrës duhet të bëhen detyrismisht pjesë e një sigurimi shëndetësor (sigurimi bazë, Grundversicherung). Ata që vijnë në Zvicër, kanë tre muaj kohë për të bërë këtë. Nëse ata sëmuren gjatë kësaj kohe, shpenzimet do të mbulohen me prapaveprim (më vonë). Sigurimi bazë ofrohet nga shumë kompani private të sigurimeve shëndetësore. Zgjedhja e kompanisë së sigurimeve është e lirë. Kompanitë e sigurimeve shëndetësore duhet t'i pranojnë të gjithë personat që jetojnë në Zvicër. Të siguruarit paguajnë një tarifë mujore. Këto tarifa ndryshojnë në varësi të kompanisë së sigurimeve shëndetësore dhe modelit të sigurimit, ndaj ia vlen të krahasohen ofertat. Sigurimi shëndetësor mund të ndërrohet vetëm një herë në vit (në nëntor). Sigurimi bazë nuk mbulon vetëm shpenzimet në rast sëmundjeje, por paguan edhe në rast shtatzënie dhe lindjeje. Shërbimet janë rregulluar ligjërisht. Kujdes: Kostot për trajtimin e dhëmbëve ose syzeve zakonisht duhet të paguhen vetë.